Bosi i energjisë paralajmëron: Faturat e larta janë këtu për të qëndruar!
Shefi i gjigantit energjetik norvegjez Equinor ka thënë se nuk pret që faturat e gazit dhe energjisë elektrike të kthehen në nivelet që ishin përpara Covid-it. Anders Opedal i tha BBC-së se kalimi nga lëndët djegëse fosile drejt burimeve më pak të dëmshme të energjisë do të thotë se kostot do të mbeten të larta.
Opedal tha gjithashtu se taksat e papritura mbi firmat e energjisë po ndikonin në investimet në projekte në MB. Kompanitë e energjisë kanë raportuar fitime rekord për shkak të çmimeve më të larta të gazit.
Çmimet e shitjeve me shumicë u rritën pasi kufizimet Covid filluan të lehtësohen, por u rritën më shumë pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe vendet vunë në shënjestër Kremlinin me sanksione.
Në javët e fundit, pjesërisht për shkak të motit më të ngrohtë se zakonisht në të gjithë Europën, çmimet e gazit janë rikthyer aty ku ishin përpara pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, faturat e gazit dhe energjisë elektrike për familjet dhe bizneset mbeten të larta dhe po shtrydhin kostot e jetesës për shumë.
Equinor, e cila fiton pjesën më të madhe të parave të saj nga prodhimi i naftës dhe gazit, është një nga kompanitë më të mëdha të energjisë në Europë, me operacione në 36 vende të botës, duke përfshirë Britaninë e Madhe.
Opedal tha se ishte e dyshimtë që faturat e gazit dhe të energjisë elektrike do të ktheheshin në një kohë kur një familje tipike në Mbretërinë e Bashkuar paguante rreth 1300 paund në vit. Fatura tipike vjetore për shtëpitë është aktualisht rreth 2,500 paund që përfshin ndihmën nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Opedal tha se ka “një lloj rilidhjeje të të gjithë sistemit energjetik në Europë, veçanërisht pasi u hoq gazi nga Rusia”. Ai tha se nevojiteshin investime të mëdha në burimet e rinovueshme, duke përfshirë përdorimin e më shumë hidrogjen për shembull.
Operacionet norvegjeze të Equinor përbëjnë rreth dy të tretat e biznesit të saj të naftës dhe gazit. Pjesa tjetër e biznesit të saj të naftës dhe gazit është e shpërndarë në 30 vende, me dy nga operacionet e saj më të mëdha, fushën Peregrino në Brazil dhe fushën Mariner jashtë Shetland, e cila filloi prodhimin në 2019.
Firma gjithashtu ka investime në burimet e rinovueshme, duke përfshirë energjinë hidroelektrike. Së fundmi ajo njoftoi planet me RWE të Gjermanisë për të zhvilluar termocentrale të gatshme për hidrogjen. Impiantet do të funksionojnë fillimisht me gaz, por përfundimisht do të jenë në gjendje të transferohen në përdorimin e hidrogjenit të prodhuar nga energjia e rinovueshme.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.