Bursat europiane zgjerojnë humbjet – Investitorët presin zgjedhjet për Kongresin në SHBA
Tregjet evropiane po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin zgjedhjet e mes mandatit në SHBA, që zhvillohen ditën e sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me 0.3%, me sektorin e udhëtimeve që realizon humbjet më të mëdha, në rënie me 1%.
Zgjedhjet e sotme në SHBA do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin, por edhe shpenzimet qeveritare. Aktualisht, demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Senati është thuajse i barabartë. Investitorët po presin edhe Indeksin e Çmimeve Konsumatore në SHBA, që do të përcaktojnë edhe politikat që do të ndjekë banka qëndrore më e madhe në botë.
Ndërkohë, shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit patën një tendencë në rritje, ndërsa kontratat “futures” në Wall Street kanë ndryshuar minimalisht. Në tregjet e metaleve të çmuara, ari që është konsideruar si një mburojë ndaj inflacionit ka humbur rreth 18% të vlerës, që nga marsi i këtij viti për shkak të rritjes së interesave nga bankat qendrore.
Në fokus të tregjeve, vijojnë të jenë edhe fitimet tremujore të korporatave.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.