Çmimi i vajit të ullirit në botë rritet 65% – Shkaku, ndryshimet klimatike dhe thatësira
Ndryshimet klimatike dhe veçanërisht thatësira që ka goditur vendet mesdhetare, janë dy faktorët kryesorë për rënien e prodhimit të vajit të ullirit këtë vit. Fermerët dhe fabrikat e ullirit në mbarë botën u përballën me një nga korrjet më të vështira të viteve të fundit.
Moti i keq dhe ngricat në fund të muajit mars shkaktuan shumë dëme në lulet e ullirit dhe më pas në prodhimin. Në sondazhin vjetor të Oliveoiltimes.com, dërguar 4.487 prodhuesve në 34 vende, të anketuarit i dhanë vjeljeve të 2023 një rezultat të përgjithshëm prej 51 nga 100, rezultati më i ulët që nga viti 2018. Fermerët dhe fabrikat e ullirit ishin më të zhgënjyer me performancën e tyre, duke e vlerësuar atë vetëm 46 nga 100, ndërsa për cilësinë e prodhimit të tyre ata i dhanë pikën më të ulët 72 nga 100 që nga fillimi i sondazhit.
Zhgënjimi për rendimentet nënvizoi rënien e publikuar gjerësisht në prodhimin global të vajit të ullirit, i cili pritet të bjerë në 2.407 milionë tonë në vitin bimor 2023/24, rënia e dytë radhazi dhe totali më i ulët që nga viti 2013/14. Pjesëmarrësit e sondazhit përmendën ndryshimin e klimës, mungesën e njohurive të konsumatorëve dhe vështirësitë e punës ndër shqetësimet e tyre më të mëdha, duke i bërë jehonë faktorëve që ata thanë se ndikuan më shumë në të korrat, si kostot e larta të prodhimit, temperaturat ekstreme dhe thatësira.
Pas ndryshimeve klimatike, prodhuesit përmendën mungesën e njohurive të konsumatorëve për vajin e ullirit si një nga sfidat e tyre më të mëdha, me gati 49% të të anketuarve që e quajtën atë si një nga problemet e tyre më të mëdha. Kjo pikë është veçanërisht e vërtetë në tregjet e reja të vajit të ullirit si Brazili, ku prodhuesit vendas kanë thënë se çmimi është kriteri numër një i blerjes për konsumatorët, me shumë blerës që nuk janë të vetëdijshëm për dallimet në cilësi nga një vaj ulliri ‘i pastër’ ose ‘i lehtë’ krahasuar me një ekstra të virgjër.
Vështirësitë në punë renditen në vendin e tretë në mesin e shqetësimeve të prodhuesve, me 40% që e përmendin atë si shqetësimin e tyre më të madh. Fermerët tradicionalë përballen vazhdimisht me sfida në punësimin e punëtorëve të mjaftueshëm për të korrur frutet në kohë, së bashku me kërkesat për paga më të larta. Gjysma e të anketuarve thanë se kostot e larta të prodhimit të shkaktuara nga inflacioni dhe efektet e konflikteve në Europë dhe Lindjen e Mesme ndikuan në korrjen e tyre. Në të njëjtën kohë, fermerët në të gjithë Mesdheun thanë se normat e larta të interesit e kanë bërë veçanërisht të vështirë shërbimin e kredive të mëparshme dhe marrjen e të rejave për prodhuesit e vegjël.
Që kur Fondi Monetar Ndërkombëtar filloi të monitoronte çmimet botërore të vajit të ullirit në vitin 1990, nuk ka pasur kurrë një rritje më të madhe të çmimit sesa ajo e parë në 12 muajt e fundit. Midis nëntorit 2022 dhe nëntorit 2023, çmimet botërore, të rregulluara për inflacionin, u rritën me pothuajse 65%, duke u rritur nga 5.145 dollarë në 8.891 dollarë për ton.
35% e të anketuarve thanë se çmimet më të larta kishin një ndikim pozitiv në shumë pozitiv në biznesin e tyre krahasuar me 21% të të anketuarve që thanë se kishte një ndikim negativ ose shumë negativ. Pjesa e mbetur prej 41% thanë se rritja e çmimit nuk kishte efekt të rëndësishëm.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.