Gjysma e eksporteve të naftës ruse, në Kinë – Pjesa e Indisë u rrit në 40% të totalit në dy vjet
Gjysma e eksporteve të naftës të Rusisë në vitin 2023 shkoi në Kinë, ndërsa pjesa e Indisë u rrit në 40% të eksporteve totale të naftës ruse në dy vjet. Lajmi u konfirmua nga zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak.
Ai theksoi se partnerët kryesorë të vendit në situatën aktuale janë Kina, pjesa e së cilës është rritur në rreth 45-50%, dhe sigurisht India. Novak, drejton gjithashtu dhe sektorin energjetik të Rusisë.
Novak shtoi se pjesa e Europës në eksportet e papërpunuara ruse ka rënë në rreth 4 – 5% nga rreth 40-45%.
Nga ana tjetër Kina regjistroi një rritje të importeve të naftës së papërpunuar që në gjysmën e parë të vitit 2023, e nxitur nga zgjerimi i kapaciteteve të rafinerisë dhe përpjekjet për të rigjallëruar ekonominë pas lehtësimit të kufizimeve të lëvizshmërisë COVID-19.
Në këtë periudhë, Kina importoi mesatarisht 11.4 milionë fuçi naftë bruto, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me mesataren vjetore të vitit 2022 prej 10.2 milionë fuçi në ditë.
Veçanërisht, gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, importet e naftës së papërpunuar të Kinës u rritën nga tetë nga dhjetë vendet kryesore nga të cilat importoi naftë bruto në vitin 2022, sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës.
Të dhënat e doganave zbuluan gjithashtu një rritje prej 330,000 fuçi në ditë (46%) në importet nga Malajzia, duke arritur në 1 milion fuçi në ditë gjatë gjysmës së parë të 2023. Gjatë kësaj periudhe, importet e Kinës nga Malajzia tejkaluan prodhimin total të naftës në Malajzi. Analistët e industrisë thanë se pjesa më e madhe e naftës që dërgohej nga Irani në Kinë u rietiketua si me origjinë nga vende të tilla si Malajzia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani për të shmangur sanksionet.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.