Greva më e gjatë në historinë e shëndetësisë – Mjekët praktikantë në Britani “kryqëzojnë” duart për 6 ditë
Mjekët praktikantë në Britani kanë nisur një grevë gjashtëditore, më e gjata në historinë 75-vjeçare të sistemit të kujdesit shëndetësor të vendit. Sipas raportimeve, mijëra mjekë praktikantë, të cilët përbëjnë pothuajse gjysmën e mjekëve në Britani, i janë bashkuar grevës.
Operacionet dhe ekzaminimet e planifikuara do të vonohen shumë. Organizatat shëndetësore thonë se njerëzit, takimet e të cilëve janë vonuar, përfshirë ata me sëmundje malinje, janë të shqetësuar dhe në rrezik përkeqësimi të gjendjes së tyre.
Shefi ekzekutiv i Spitaleve të Kolegjit Universitar të Londrës tha se ‘shumica dërrmuese’ e procedurave rutinë do të duhet të anulohen pasi mjekët e vjetër janë transferuar në Departamentin e Urgjencës. Greva erdhi pas një dështimi në negociatat e pagave midis qeverisë dhe Shoqatës Mjekësore Britanike – BMA.
Edhe gjatë vitit të kaluar në disa raste punonjësit e mjekësisë hynë në grevë, të pakënaqur me nivelin e të ardhurave të tyre. Praktikantët mjekësorë kërkojnë një rritje shtesë prej 35% të pagave për të përshtatur pagat e tyre me normën e inflacionit.
Sekretarja e Shëndetësisë Victoria Atkins tha se praktikantët duhet të përfundojnë grevën e tyre dhe të kthehen në tryezën e negociatave në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të drejtë dhe të arsyeshme për t’i dhënë fund grevave njëherë e përgjithmonë.
Nga ana tjetër, bashkëkryetarët e komisionit të mjekëve praktikantë mendojnë se qeveria duhet të dalë me një ofertë të besueshme. Në maj të vitit të kaluar, personeli mjekësor në Britani, me përjashtim të mjekëve, pranoi një ofertë për një rritje pagash prej 5%.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.