Europa goditet nga i ftohti ekstrem – Vendet nordike, pa energji elektrike. Përmbytje në Francë, Gjermani, Holandë
Mijëra persona në vendet nordike mbetën pa energji elektrike pasi erërat e forta dhe bora shkaktuan kaos në rajon, duke lënë shumë shoferë të bllokuar në automjetet e tyre në autostradat e rrezikshme dhe të bllokuara.
Finlanda dhe Suedia regjistruan temperatura nën -40 gradë Celsius në fillim të kësaj jave, më e ftohta e dimrit, duke detyruar mbylljen e shkollave dhe duke shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve. Në Suedinë Arktike, rreth 4.000 shtëpi mbetën në errësirë të enjten pasi temperaturat ranë në -38 gradë Celsius, sipas radios publike suedeze. Një ditë më parë, temperatura kishte rënë në -43.6 gradë Celsius, temperatura më e ulët e janarit e regjistruar në Suedi në 25 vjet.
Danimarka dhe Norvegjia, të dyja të goditura nga era dhe bora, u prekën gjithashtu në mënyrë të ngjashme. I ftohti ekstrem që goditi rajonin skandinav është pjesë e një stuhie që ka prekur edhe Europën Perëndimore. Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në Francë, Gjermani dhe Holandë.
Një viktimë u raportua në Francë, ndërsa që nga e enjtja, disa qytete në Francën Veriore ishin nën ujë pas disa ditësh shiu. Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz vizitoi disa zona të prekura nga përmbytjet në Lindje të vendit.
Vala e ftohtë nga Siberia dhe rajoni i Arktikut ka përfshirë gjithashtu Rusinë perëndimore, me temperaturat në Moskë dhe zona të tjera që kanë rënë në minus 30 gradë Celsius, shumë nën temperaturën mesatare për fillimin e janarit. Kushtet e buta, por të lagështa dhe me erë mbizotëruan më në jug, ku një stuhi shkaktoi kaos në pjesë të Europës Perëndimore.
Në Britani, një shofer humbi jetën pasi një pemë ra mbi automjetin e tij në Perëndim të vendit. Stuhia, e cila është quajtur Henk nga shërbimet zyrtare të motit të Britanisë, Irlandës dhe Holandës, ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, probleme transporti, dëmtime prone dhe kaos në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Në Francë, shirat e dendur kanë goditur rajonet veriore Pas-de-Calais dhe Nord që nga e diela, duke detyruar evakuimin e rreth 200 njerëzve dhe ndërprerjen e energjisë për 10.000 familje, sipas autoriteteve lokale. Pjesë të Gjermanisë po përballen gjithashtu me përmbytjet, të cilat mund të përkeqësohen nga shirat që bien në shtetin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.