Lira turke shënon sërish rënie – Balotazhi presidencial ndikon në ekonominë e vendit
Lira turke mbeti afër nivelit të ulët dy mujor në fillimin e tregtimit, pasi kostoja e sigurimit të ekspozimit ndaj borxhit të vendit u rrit në momentin që gara presidenciale tashmë do të zgjidhet nëpërmjet balotazhit të 28 majit.
Lira u tregtua me 19.64 për dollar, pasi ra në nivelin më të ulët të dy muajve prej 19.70 në orët e tregtimit, jo shumë larg nivelit më të ulët të arritur këtë vit pas tërmeteve të shkurtit.
Partitë e presidentit aktual Tajip Erdogan dhe rivalit të tij të opozitës Kemal Kilicdaroglu pretenduan kryesimin pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të së dielës, por burime nga të dy kampet kanë pranuar se nuk e kanë kaluar pragun e 50% për të mbizotëruar.
Votimi presidencial jo vetëm që do të vendosë se kush do ta udhëheqë Turqinë dhe do të formësojë politikën e jashtme të vendit anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë, por edhe se si qeveriset dhe si do trajtohet një krizë e thellë e kostos së jetesës.
Analistët presin që lira të bjerë në prag të zgjedhjeve pas viteve të çekuilibrave ekonomikë dhe politikës monetare joortodokse.
JPMorgan parashikon se lira mund të dobësohet në nivelet 24-25 për dollar. Goldman Sachs tha në një shënim ditët e fundit se llogaritjet treguan se tregu priste që paundi të dobësohej me 50% gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, duke përfshirë një zhvlerësim të mprehtë pas zgjedhjeve.
Lira, e cila është subjekt i luhatjeve të forta përpara orëve normale të tregtimit, është dobësuar me 5% që nga fillimi i vitit.
Monedha ka humbur gati 95% të vlerës së saj gjatë një dekade e gjysmë të fundit pasi politikat ekonomike kanë çuar në cikle dramatike të ‘bumit’ dhe rënies, si dhe në shpërthime dhe rritje inflacioniste në tregun valutor.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.