Pastrimi i parave, bankat subjekti më i kontrolluar por edhe barriera kryesore! Spiro Brumbulli: Raportohet çdo derdhje mbi 1 Mln lekë, hetohet çdo transaksion i paqartë
Bankat në Shqipëri, rezultojnë të jenë subjektet më të kontrolluara por edhe më aktive njëkohësisht, në luftën kundër pastrimit të parave. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave Spiro Brumbulli thotë se bankat janë të detyruara që të aktivizojnë mekanizmin e raportimit dhe verifikimit të mëtejshëm për çdo derdhje cash mbi 1 milionë lekë, qoftë kjo e justifikuar me dokumentacionin përkatës apo jo.
“Është realitet që mbrojtja e parë ku parandalohet pastrimi i parave është sporteli i bankës. Bankat, për çdo transaksion mbi 1 milion lekë janë të detyruara që t’i raportojnë, pavarësisht janë apo nuk janë të sakta. Ti mund t’i kesh shumë të rregullta 1 milionë e 500 mijë lekë dhe bën deklaratën që janë nga burime të sigurta. Dhe banka e deklaron, e bën raportimin te Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Është kjo drejtori që bën verifikimin pastaj nëse kjo shumë është shumë që vjen nga burime të ligjshme apo vjen nga aktivitete të tjera, sipas informacione që ata marrin edhe nga institucione e tjera, është punë e tyre” deklaron Brumbulli per SCANTV.
Subjekt analizash të detajuara nga ana e departamenteve të specializuara të bankave bëhet çdo shumë e pajustifikuar nga historiku i subjekteve, ashtu si dhe transaksionet e pabazuara, të padokumentuara, apo jotipike.
Mekanizmi i fortë i kontrollit ka bërë që bankat të jenë çdo vit sinjalizuesit më të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave, duke mbajtur pjesën më të madhe të raportimeve që i shkojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.