Rritja e çmimit të banesave në Turqi – Erdogan: Synojmë që projektet në ndërtim të përfundojnë shpejt!
Presidenti turk Tayyip Erdogan njoftoi disa masa për të adresuar rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, ndërsa qytetarët përpiqen për të gjetur shtëpi me çmime të arsyeshme me qira, ose për t’i blerë, pas krizës së monedhës së vitit të kaluar.
Çmimet e banesave janë rritur gjatë vitit të kaluar, të nxitura nga inflacioni, që arriti në 70% në prill më një monedhë e dobët, një treg i nxehtë pronash, si dhe një popullsi vendase në rritje, krahas një fluksi të qëndrueshëm emigrantësh.
Duke folur pas një mbledhje të qeverisë, Erdogan tha se do të jepen kredi më të lira për strehim për ata që konvertojnë kursimet e tyre në valutë në lira ose shesin arin e tyre në bankën qendrore për ta përdorur në blerjet e shtëpive me vlerë deri në 2 milionë lira.
Normat mujore të kredive do të jenë 0.89% me afat maturimi deri në 10 vjet, tha ai. Ankaraja u ka kërkuar individëve dhe kompanive që të konvertojnë kursimet e tyre në lira në vazhdën e krizës së monedhës, e nxitur nga një seri uljesh të normave të projektuara nga Erdogan.
Sipas tij, masa për kreditë e banesave do të mbështesë këtë përpjekje, duke përmbysur një tendencë dollarizimi prej vitesh. Kredi me maturim 36-mujor do t’u jepeshin kompanive të ndërtimit për të përfunduar disa projekte nëse premtojnë të mbajnë çmimet e shitjes të pandryshuara për një vit.
“Me këtë lëvizje synojmë që projektet në ndërtim të përfundojnë shpejt, duke rritur ofertën e banesave në një periudhë afatshkurtër dhe sjellë në ekuilibër çmimet”, tha Erdogan.
Një bum ndërtimi ka ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike gjatë gati 20 viteve në pushtet të Erdoganit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.