Zhvillimi i Inteligjencës Articiale – Alphabet prezanton modelin e tij më të avancuar
Alphabet prezantoi modelin e tij më të avancuar të inteligjencës artificiale, një teknologji në gjendje për të grumbulluar forma të ndryshme informacioni si video, audio dhe tekst.
I quajtur Gemini, modeli i shumëpritur i inteligjencës artificiale të pronarit të Google është në gjendje të arsyetojë dhe të kuptojë informacione më të sofistikuara me një shkallë më të madhe nuancash sesa teknologjia e mëparshme e Google.
Drejtori Ekzekutiv i Alphabet, Sundar Pichai u shpreh se kjo epokë e re e modeleve përfaqëson një nga përpjekjet më të mëdha shkencore dhe inxhinierike që kanë ndërmarrë si kompani.
Që nga lansimi i ChatGPT të OpenAI afërsisht një vit më parë, Google është në garë për të prodhuar softuer të IA që rivalizon atë që kompania e mbështetur nga Microsoft ka prezantuar. Google shtoi një pjesë të teknologjisë së re të modelit Gemini tek asistenti i tij i AI Bard duke shtuar se synon të krijojë versionin e tij më të avancuar të Gemini përmes Bard në fillim të vitit të ardhshëm.
Alphabet tha se po krijon tre versione të Gemini, secila prej të cilave është krijuar për të përdorur një sasi të ndryshme të fuqisë përpunuese. Versioni më i fuqishëm është krijuar për të ekzekutuar në qendrat e të dhënave dhe më i vogli do të funksionojë në mënyrë efikase në pajisjet e telefonave.
Alphabet njoftoi gjithashtu një gjeneratë të re të çipave të saj të inteligjencës artificiale të krijuar me porosi, ose njësive të përpunimit tensor – TPU. ‘Cloud TPU v5p’ është projektuar për të trajnuar modele të mëdha të IA dhe është i bashkuar në grupe prej 8.960 çipash.
Versioni i ri i përpunuesve të tij të klientëve mund të trajnojë modele të mëdha gjuhësore gati tre herë më shpejt se gjeneratat e mëparshme. Çipat e rinj tashmë janë në dispozicion për zhvilluesit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.