Turizmi rrit shitjet verore në Greqi – Më mirë se 2021, por vlerësohet të jenë rreth 4-5% nën ato të vitit 2019
Shitjet me pakicë gjatë stinës së verës në Greqi regjistruan një rritje krahasuar me vitin paraardhës, por nuk mundën të arrinin ato të vitit 2019. Sipas statistikave zyrtare, rritja e trafikut turistik rriti shitjet në disa zona, si qendra historike e Athinës dhe në destinacionet turistike të njohura si Mykonos dhe Santorini, por nuk arriti të kompensojë humbjet nga rënia e kërkesës së familjeve, si dhe nga mungesa e turistëve rusë dhe kinezë.
Sipas vlerësimeve të operatorëve të tregut, shitjet me pakicë këtë vit vlerësohet të jenë rreth 4%-5% nën nivelet e vitit 2019. Konsumatorët grekë nuk kanë bërë shumë blerje në përpjekje për t’u përballur me rritjen e madhe të kostove për ushqim, karburant, energji, por edhe pushime. Ndërkohë, nuk janë të paktë ata që kanë kursyer para’ në funksion të dimrit, që parashikohet të jetë jashtëzakonisht i vështirë duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike dhe gazit natyror.
Sidomos në Athinë, hulumtimi i kryer nga Dhoma e Tregtisë së Athinës në bashkëpunim me Universitetin Ekonomik të Athinës tregoi se gjashtë nga dhjetë biznese arkëtuan më shumë para’ në arkat e tyre këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Megjithatë, kishte edhe 21.6% të bizneseve që thanë se qarkullimi i tyre ishte më i keq se në vitin 2021. Për më tepër, gjashtë në dhjetë biznese të shitjes me pakicë panë xhiron e këtij viti ende dukshëm nën atë të vitit 2019. Një në pesë biznese tha se kishin qarkullim të ngjashëm këtë vit në krahasim me 2019 dhe 14.2% shitje më të mira se para pandemisë.
Rezultatet, sipas Dhomës së Tregtisë së Athinës, janë dukshëm më të këqija për bizneset larg qendrës së Athinës, si dhe në tregjet rajonale, të cilat nuk preken nga turizmi.
Sa i përket blerjeve nga turistët, shumica, sipas agjentëve të shitjes me pakicë, janë bërë kryesisht nga amerikanë dhe izraelitë, ndërsa shumë më pak nga europiano-veriorë dhe turistë nga vendet e Ballkanit. Mungonin blerjet masive të bëra nga turistët kinezë dhe rusë nga shumë dyqane dhe jo vetëm nga ato shumë të shtrenjta në Mykonos dhe Santorini.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.