Nafta i jep fund fitimeve 2-ditore – Investitorët presin inflacionin në SHBA, që publikohet të mërkurën
Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, duke i dhënë fund dy ditëve me radhë në rritje të konsiderueshme. Tregu mbeti i kujdesshëm, përpara publikimit të të dhënave mbi inflacionin në SHBA për muajin prill, i cili do të jetë kyç për vendimin e ardhshëm të Rezervës Federale mbi normat e interesit.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 76 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat u rritën me më shumë se 2% në sesionin e kaluar.
Rezerva Federale rriti normat e interesit javën e kaluar, në atë që mund të jetë rritja e fundit e ciklit të saj shtrëngues. Banka Qendrore hoqi edhe udhëzimet për rritje të tjera në të ardhmen, pasi presioni inflacionist po lehtësohej.
Në fokus të tregjeve do të jetë edhe takimi i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të tjerë, që së bashku njihen si OPEC+, që zhvillohet më 4 qershor. Gjithashtu, çmimet gjetën edhe një mbështetje nga vendimi i provincës kanadeze të Albertas, e cila shpalli një gjendje të jashtëzakonshme gjatë fundjavës, në përgjigje të zjarreve që kanë zhvendosur rreth 30,000 njerëz dhe kanë bërë që prodhuesit e naftës të mbyllin të paktën 280,000 fuçi naftë në ditë, apo më shumë se 3% të prodhimit të Kanadasë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.