Pushimet në Greqi, 10-15% më shtrenjtë – Hotelierët në vend nënshkruajnë kontratat me operatorët turistikë
Hotelierët në Greqi kanë nënshkruar kontrata me operatorët kryesorë të huaj turistikë, me rritje çmimesh midis 10% dhe 15% për sezonin 2023.
Këto rritje, që mesatarisht janë rreth 12%, kanë të bëjnë me paketat e pushimeve të shitura në vendet kryesore europiane si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Pavarësisht rritjes së çmimeve, që vjen si efekt logjik i inflacionit dhe kërkesës së fortë për pushime në Greqi, operatorët kryesorë turistikë vlerësojnë se do të mund të shesin edhe më shumë paketa këtë vit. Rritjet ndryshojnë nga destinacioni në destinacion, në varësi të popullaritetit që ata kanë në tregjet europiane.
Megjithatë, rritjet e çmimeve për rezervimet direkte të bëra nga udhëtarët janë edhe më të mëdha dhe në disa raste kalojnë edhe nivelin e 100%, sipas të njëjtave burime. Pra, ndërkohë që kostoja totale e një pakete pushimi për një familje që dëshiron të udhëtojë nga Britania, apo Gjermania në Greqi duket ndjeshëm e rritur për shkak të rritjes paralele të kostos së transportit ajror të pasagjerëve, kërkesa për udhëtime këtë vit mbetet e fortë dhe në disa raste më e fortë se në vitin 2022.
Megjithatë, pritet një reduktim i kohëzgjatjes së pushimeve, pasi rënia e të ardhurave të disponueshme të familjeve europiane si –pasojë e inflacionit, do të kufizojë buxhetet e pushimeve verore të vitit 2023.
Sipas një sondazhi me një kampion prej 1 mijë gjermanësh të moshës 18 deri në 65 vjeç, prirja për të shpenzuar më pak për pushime ka rënë paksa në krahasim me sondazhin përkatës të kryer në pranverën e vitit 2022. Megjithatë, mbi 70% e atyre që marrin paketa pushimesh po mendojnë të shpenzojnë më pak para ose të bëjnë një pushim më të shkurtër.
Shenja të ngjashme ka edhe nga tregu britanik, por këto të dhëna nuk shqetësojnë as operatorët e mëdhenj turistikë dhe as hotelierët grekë në veçanti, pasi kërkesa për prenotime për pushime në Greqi është e tillë që do të lejojë që ditët në dispozicion të mbulohen nga udhëtarët e tjerë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.